STATUTI I KRYQIT TË KUQ TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT
STATUTI
i Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut
KAPITULLI I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut (në tekstin e mëtejmë: Kryqi i Kuq i RMV-së) është e vetmja organizatë e Kryqit të Kuq që vepron në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përbëhet nga organizatat komunale të Kryqit të Kuq (në tekstin e mëtejmë: organizatat komunale) dhe nga organizata e Qytetit të Shkupit.
Kryqi i Kuq i RMV-së është organizatë humanitare, vullnetare, e paanshme, neutrale, jofitimprurëse, universale dhe e pavarur e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në punën e vet promovon shërbimin vullnetar.
Kryqi i Kuq i RMV-së është organizatë e pavarur dhe autonome, që ka rol ndihmës për autoritetet shtetërore në realizimin e aktiviteteve humanitare, duke ruajtur autonominë që i lejon të veprojë vazhdimisht në përputhje me Parimet Themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Kryqi i Kuq i RMV-së në punën e vet i përmbush kushtet e përcaktuara me nenin 4 të Statutit të Lëvizjes, në përputhje me nenin 3 të Statutit, si dhe detyrimet e përcaktuara me nenin 8 të Statutit të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Neni 2
Kryqi i Kuq i RMV-së qëllimet dhe detyrat e veta i realizon në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ligjin për Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Statutin e vet.
< kthehu mbrapa










































